29 prill, 2009

Hidhet në qarkullim versioni përfundimtar beta i Firefox-it 3.5

Version përfundimtar beta sapo është hedhur në qarkullim. Lidhjet për të shkarkuar përkthimin në Shqip janë si vijon:


për Windows

për Mac

për Linux


Zëvendësimi i sq me en-US te fundi i këtyre lidhjeve do t'ju japë shkarkimin në Anglisht.

21 mars, 2009

Wordpress-i në Shqip

Wordpress-i është një nga platformat më të njohura për krijim dhe mirëmbajtje blogjesh, i përdorur edhe nga shumë blogistë shqiptarë. Përkthimin e tij në Shqip e kam përfunduar, dhe shumë shpejt do të jetë i passhëm zyrtarisht nga site-i zyrtar. Deri atëherë, një ide mund ta krijoni nga këto foto ekrani:

Wordpress-i në Shqip

09 korrik, 2008

Firefox 3 qarkullon zyrtarisht edhe ne Shqip më së fundmi

Shfletuesi i mirënjohur Firefox 3 ka gati një muaj që qarkulloi zyrtarisht, këtë herë edhe me Shqipen si pjesë e bashkësisë së gjuhëve në të cilat ofrohet falas.

Hollësitë rreth tij dhe se si mund të shkarkohet mund t'i gjeni te faqet e Mozilla Europës.

Një paraqitje shumë e përmbledhur për ata që nuk duan të lodhen duke lexuar mund ta shihni në këtë video të shkurtër. Videon mund ta shkarkoni edhe prej këtej, për ta parë me programin tuaj të parapëlqyer.

30 maj, 2008

Ndihmoni që Firefox-i të vendosë rekord Guinness si programi më i shkarkuar ndonjëherë brenda 24 orësh

Firefox 3-shi nuk është shumë larg nga dita e hedhjes zyrtarisht në qarkullim. Për ta bërë më pikante ngjarjen, Spreadfirefox-i mendoi një rrugë më tepër për të ndihmuar në përhapjen e Firefox-it: bërjen e Firefox 3-shit programin që do të vendosë rekord Guinness si programi më i shkarkuar brenda 24 orësh.
Përdoruesit nga Shqipëria, përgjithësisht kanë treguar pak ngazëllim për programin në fjalë. Po për habi, Shqipëria është e para për nga numri i zotimeve deri në këtë minutë. Zotimet mund të shihen duke vizituar lidhjen e fushatës në fjalë. Ndoshta ka diçka që nuk shkon me mënyrën e numërimit të zotimeve sipas vendeve. Sepse nuk ka se si përdoruesit nga Shqipëria të tejkalojnë ata nga Gjermania apo Polonia, vende ku Firefox-i ka një bazë të rëndësishme përdoruesish. Në të kundërt, ky do të ishte lajm i shumëpritur.
Pavarësisht se sa i vërtetë është të qenët e Shqipërisë në krye, nëse Firefox-i është një program i dashur për ju, jepni ndihmesën tuaj me një zotim për shkarkimin e Firefox 3-shit në ditën e shpallur si Dita e Shkarkimeve për të.

16 prill, 2008

Firefox 3 Beta edhe në Shqip

Ka pak ditë që qarkullon Firefox 3 Beta. Këtë herë Shqipja është njëra prej kandidateve, dhe në formë shumë të mirë në krahasim me versionet e mëparshme.

08 mars, 2008

Mos Harro Qumështin!

Ky është emri i një programi planifikimesh punësh dhe veprimesh online. Përkthimin e tij sapo e kam përfunduar. Nuk është akoma në funksionim, si mund të shihet lehtë te faqja hyrëse. Por vizitës tjetër do ta gjeni edhe Shqipen si një nga mundësitë për gjuhën e ndërfaqes. Mos Harroni... të Riktheheni!

07 mars, 2008

Rikthehet Firefox-i në Shqip

Si fillim, për ata që i duan drutë shkurt, ja lidhjet nga ku mund të shkarkohet programi i plotë në Shqip:

Instalojeni në Windows

Po për Windows, por si dosje .zip

Për Linux

Dy fjalë për rrugën deri këtu:

Versioni i fundit në Shqip pat qenë 1.0.3. Pas këtij versioni, edhe pse shumë afër finalizimit Shqipja nuk arriti dot të qe pjesë e projektit. Kjo në shumicën e rasteve për shkak të rregullave të ngurta të Mozilla-s, kur vjen puna për parashtrimin dhe përfshirjen e përkthimeve në projektet e saj. Në disa raste të tjera, trenin e humba unë, për shkak mungese kohe për të arritur në stacion kur duhej.

Sidoqoftë, kjo i takon të shkuarës tani, dhe versioni 3 i Firefox-it do ta gjejë Shqipen pjesë të projektit, të barabartë me gjuhët e tjera. Kjo ka qenë edhe nxitja e përhershme.

Nuk ka ndryshime thelbësore në termat më të diskutueshëm, përsa i përket përkthimit të tyre. Por ka shumë përmirësime drejtshkrimi dhe gramatikore. Një hap i rëndësishëm është bërë me shkurtoret e tastierës, që kanë filluar të marrin rrugëzgjidhje. Një pjesë e kësaj mund të shihet që në dritaren kryesore, sapo hapet programi pas instalimit. Pjesën tjetër më duhet ta shqyrtoj në punë e sipër.


Shpresa ime është që ky version të jetë tërheqës dhe të gjejë përkrahje nga përdoruesit shqipfolës. Duke filluar, së pari, me vërejtjet dhe këshillimet për punën e deritanishme, që kështu të përmirësohet më tej.